Yahoo! vs. Microsoft

Dje aksionet e Yahoo!-së arritën vlerën më të ulët në pesë vitet e fundit. Në çastet e fundit të tregtimit të ditës së djeshme një aksion kushtonte 15.31$. Me këtë, praktikisht çmimi u përgjysmua nga ai që Microsoft ishte i gatshëm të japë në shkurt. Oferta u refuzua sepse nga Yahoo mendonin se vlejnë shumë më tepër ($35-$40).

Përskaj përgjysmimit të çmimit që shumëkush do ta arsyetonte me krizën ekonomike të krijuar nga Wall Street dhe do të thonë se edhe kompani tjera si Apple ballafaqohen me të njëjtin problem (për krizën në Apple premtoj se do të shkruaj ditëve në vazhdim). Interesante është të ceket fakti se menjëherë pas refuzimit të ofertës, Yahoo! u drejtua drejt negociatave për bashkëpunim me Google ku kërkonte pjesë nga fitimet nëse ne motorin e vet instalonte Adsense reklamat e Google. Edhe negociatat me Google të cilat janë në fazën përfundimtare për shkak se rregullativat federale të antitrastit duan që më detalisht t’i analizojnë efektet nga ky partneritet. Mirëpo, unë dyshoj pikërisht nga kjo kërkesa për Adsense, pasiqë iu pata tërhequr vëmendjen për strategjinë e Google që të vendos Adsense në shfletuesin e saj Chrome dhe fitimet t’i mbajë vetëm për vete, ndërsa në anën tjetër nëqoftëse e nënshkruan këtë marrëveshje me Yahoo! do të krijohej një konflikt interesash.

Nëse edhe kjo tentativë i dështon, atëherë kompania nuk ka shumë për të zgjedhur, por spekulohet se Yahoo! akoma e ka në plan kombinimin me Time Warner për bashkangjitjen e AOL dhe inkorporimin e këtij portali në strategjitë e saja.

Akoma më interesante duhet të jetë kah fundi i këtij muaji, gjegjësisht më 21 Tetor kur pritet që kompania të paraqet rezultatet e saja financiare nga puna në kuartalin e tretë të këtij viti. Sipas të gjitha analizave por edhe kriza momentale ekonomike, rezultatet do të duhej të ishin tejet negative dhe dekurajuese.

Vetëm me rastin e ofertës më 1 Shkurt, Ballmer e rriti vlerën e aksioneve të Yahoo! për rreth $10 (më 31 Janar çmimi ishte $19.18 ndërsa një ditë me vonë, pra më 1 Shkurt çmimi i një aksioni ishte $28.38). Paramendojeni tash sikurse Ballmer dërgon një e-mail deri te bordi i drejtorëve në Yahoo! me një përmbajtje të stilit:

“Duhej ta pranonit ofertën time…:-)))”

A vlen në këtë rast thënia “Miu njëherë kalon nëpër mustaqe”?!!! Do të shohim në vazhdim nëse Microsoft qëndron indiferent apo jo ndaj kësaj “tragjedie” të Yahoo-së!!!

paraqitje grafike e vlerës së aksioneve të Yahoo!