Aftësia për të pasur avantazh krahasues ndaj konkurrencës është subjekt që vazhdon akoma të studiohet dhe pastaj të vihet në praktikë nga shumë sipërmarrës. Adhuruesit e futbollit janë të vetëdijshëm se trajnerët e ekipeve të tyre mundohen të gjejnë mënyra të ndryshme për të mundur kundërshtarin. Univerzitetet ofrojnë fusha të reja studimi për të tërhequr studentë të ri. Njëri operator mobil këtu tek ne ofron minuta falas për bisedë brenda rrjetit të saj. Parukierja në lagjen time ofron rregullim flokësh me 50% zbritje për të gjitha ato femra që do të pajtohen të fotografohen për katalogun pranverë-verë 2011. Të gjithë këta që i përmenda më lartë, përpiqen të gjejnë mënyra të ndryshme për të tërhequr sa më shumë klientë. Në kushtet e konkurrencës së plotë, duhet të bëni c’mos për të ngadhënjyer në luftën për territore konsumatorësh.

Duke pasur nje perparesi konkurruese mbi ata që veprojnë në fushën tuaj, ju mund të rritni te ardhurat duke shtuar klientë të ri, të rritni pjesën e tregut me klientet ekzistues, e pse jo edhe të keni përparësi kur negocioni për çmimin me furnitorët tuaj. Ja çfarë ju bën të keni një përparësi konkurruese:

  • Kuptoni çfarë bëni më së miri

Hapi i parë për të arritur përparësi ndaj konkurrencës është të kuptuarit e asaj se çfarë bëni më së miri. Implementimi i strategjive të ndryshme do t’ju mundësojnë të fokusoheni atje ku jeni më të mirët. Nuk ka asgje te keqe nëse rrezikoni në fusha të ndryshme të mundësive, mirëpo shpeshherë njerëzit gabojnë duke mos respektuar atë që në fund të fundit e bën të suksesshëm.

  • Koncentroni fuqitë në atë që e bëni më së miri

Shumëkush nuk do të pajtohej me këtë duke thënë se fuqitë duhet dedikuar atyre gjërave ku jemi më të dobët, aty ku kemi më shumë mangësi, gjë e cila është e saktë në shumë raste. Mirëpo për të pasur një ndikim dhe përparësi ndaj konkurrentëve si dhe për të reaguar me kohë ndaj “sulmeve” të tyre, duhet të përqëndroheni në fuqinë tuaj dhe tua jepni grushtin e merituar. Kjo nuk do të thotë që të hiqni dorë nga mundësitë e reja që ju hapen në treg, por gjithnjë mbështetuni mbi atë që e posedoni.

  • Krijoni aleancë të fuqishme me furnitorët tuaj

Kjo eshte ndoshta njera ndër gjerat me te rendesishme që mund ta bëni për të krijuar nje avantazh ndaj konkurrenteve tuaj. Krijimi i nje aleance te forte me furnizuesit tuaj do t’ju ndihmojë të diktoni tregun ne te cilin jeni duke lozur. Secili furnitor i juaj ka interes të vecantë ndaj jush, posacërisht nëse jeni një biznes i madh. Suksesi i biznesit tuaj është i lidhur drejtpërdrejt me ekzistencën dhe suksesin e tyre, andaj ndikimi i biznesit tuaj kurrë nuk do të anashkalohet. Njoftoni ata për strategjinë tuaj, ku dëshironi të arrini, prandaj edhe ata do të kenë prirje më tepër për të qëndruar pranë jush dhe kërkesave tuaj. Një privilegj tjetër në krijim e aleancës me furnitorët është se mund të negocioni për çmimin dhe me këtë të jeni një hap para konkurrencës.

  • Njihni dobësitë e konkurrentëve

Kur i dini dobësitë dhe anët e forta të konkurrentëve tuaj, atëherë e keni shumë më të lehtë për të identifikuar pozitën tuaj në treg. Dobësia e një konkurrenti nënkupton mundësi për ju. Dobësi e konkurrentit nënkupton qasje joadekuate e tyre ndaj furnitorëve, ekip joprofesional i shitjes, mungesë të fondeve… Çfarëdo që të jetë, shfrytëzoni rastin për të kthyer situatën në dobi tuajën. Bëjuani me dije klientëve tuaj dobësitë e konkurrentëve, por kini kujdes sepse ata mund të kenë lidhje të posaçme pikërisht me atë komkurrent për të cilin ju mëtoni ta shtrini përtokë.